Shqipëria ka traditat e saj të veçanta të mirësjelljes që e karakterizojnë popullin që i mbart ato. Ato janë të lidhura ngushtë me nocionin e MIKPRITJES, një nocion për mikun që afrohet me atë të vizitorit të shenjtë, të cilin e njohin lexuesit e Homerit dhe të letërsisë klasike. Ndërsa janë duke fituar terren traditat e reja të sjelljes, mund të thuhet që edhe ato të vjetra respektohen gjerësish në shumë vise madje edhe nga të rinjtë. Shqiptarët janë të dashur dhe mjaft të hapur ndaj të huajve që vizitojnë vendin e tyre.
Nëse do t’ju qëllojë të vizitoni një shtëpi shqiptare, do të trajtoheni si mbret. I zoti i shtëpisë do t’ju respekojë duke ju ulur në krye të shtëpisë ose tavolinës. Miku gostitet me gjërat më të mira që mund të ketë. Zakonisht ofrohet raki e bërë vetë, e cila është njëkohësisht pije tradicionale. Shqiptarët e kanë zakon që të shtrëngojnë duart me njëri - tjetrin kur takohen dhe në shumicën e rasteve të puthen, përgjithësisht katër herë. Një ngatërresë që bëhet gjithmonë është ajo e pohimit dhe mohimit që në gjesikulacionin ndërkombëtar është e kundërta e atij shqiptar.
Po d.m.th. Jo dhe anasjelltas në Shqipëri. Kur pëllëmba e dorës vendoset në gjoks ajo shpreh falenderim. Goditja e lehtë në shpatull do të thotë “pac fat”.
Veshja në Shqipëri është njësoj si në vendet e tjera europiane. Në stinën e verës, në plazhe është gjithashtu njësoj. Nuk haset shpesh dalja në plazh topless ose më keq akoma lakuriq. Natyrisht ka mjaft vende të izoluara ku mund të bëhet kjo gjë, larg njerëzve.